Prezantohen hulumtimet shkencore të studentëve të Shëndetit Publik

Prezantohen hulumtimet shkencore të studentëve të Shëndetit Publik

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, më 20.05.2026, u organizua një tryezë diskutimi me titull: “Team Learning and Innovation in Public Health Teams: Results of a Comprehensive Research Project”,e cila u udhëhoq nën mentorimin e Prof. Dr. Antigona Ukëhaxhaj.

Rezultatet e studimeve shkencore u prezantuan nga studentët e vitit të parë të programit Shëndet Publik, me temën: “Prevalenca e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse në Komunën e Gjakovës”.

Gjatë prezantimit u theksua se sëmundjet kronike jo-ngjitëse (SKJN) përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Kosovë, duke vazhduar të paraqesin një sfidë serioze për sistemin shëndetësor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2019 rreth 17 milionë njerëz nën moshën 70-vjeçare kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjeve jo-ngjitëse. Rreth 86 për qind e rasteve të vdekjeve janë regjistruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Po ashtu, sipas raportit të OBSH-së, çdo vit rreth 41 milionë njerëz vdesin nga kanceri, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes.

Hulumtimi i dytë u realizua nga studentët e vitit të tretë të programit Shëndet Publik në këtë fakultet, me fokus në temën: “Njohuritë e stafit shëndetësor për parandalimin e infeksioneve spitalore në Spitalin ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”.

Të dy studimet paraqitën një mundësi të mirë për diskutim shkencor dhe shkëmbim përvojash, duke kontribuar në avancimin e praktikës mjekësore, shërbimeve në komunitet dhe zhvillimin e mëtejmë të kërkimit shkencor nga studentët e këtij fakulteti.

Në një kohë kur sfidat shëndetësore në vend po bëhen gjithnjë e më komplekse, bashkëpunimi ndërdisiplinar mbetet një nga mekanizmat më të fuqishëm dhe nuk përbën luks, por domosdoshmëri. Këto aktivitete mbështesin përfshirjen aktive të studentëve, të cilët përfaqësojnë të ardhmen e sistemit shëndetësor dhe të kërkimeve shkencore në këtë fushë studimi.

Rekomandimet e dala nga këto studime dëshmuan edhe njëherë nevojën për forcimin e shërbimeve në komunitet dhe institucioneve shëndetësore, ku çdo ditë shpëtohen jetë njerëzish.

Article Gallery

tp-bottom