Fakulteti i Mjekësisë i UFAGJ-së shënon Ditën Ndërkombëtare të Diabetit me aktivitete edukative dhe promovuese
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, më 14.11.2026, studentët e Programit Kujdesi Shëndetësor në Komunitet, së bashku me shefin e programit, Prof. Ass. Dr. Muhamet Kadrija, dhe asistentët e lëndës Praktika Klinike, Ass. Sabrije Kelmendi, Ass. Argjiro Alija, Ass. Mirlinda Llapi dhe Ass. Shkurte Karakushi, morën pjesë në një aktivitet edukativ dhe promovues, të organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Aktiviteti u zhvillua në qendrën Med Care në Gjakovë, ku studentët dhe stafi akademik u pritën ngrohtësisht nga personeli shëndetësor dhe pacientët e kësaj qendre.
Gjatë aktivitetit, stafi akademik mbajti një ligjëratë edukative për personelin e Med Care, me fokus te diabeti, simptomat e tij, diagnostikimi, trajtimi, komplikimet, si dhe rëndësia e edukimit shëndetësor në parandalimin dhe menaxhimin e kësaj sëmundjeje.
Ndërkaq, studentët, së bashku me asistentët e praktikës klinike, shpërndanë materiale informuese dhe realizuan matjen e nivelit të glukozës në gjak te pacientët e pranishëm, duke kontribuar në ndërgjegjësimin dhe promovimin e kujdesit shëndetësor.
Në shenjë respekti dhe solidariteti, përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë i dhuruan qendrës Med Care dy aparate për matjen e glukozës në gjak, si një kontribut simbolik në mbështetje të punës së kësaj qendre dhe kujdesit ndaj pacientëve.
Ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore, si dhe rolin e studentëve në zbatimin praktik të njohurive profesionale dhe në shërbim të komunitetit.