Vizitë studimore e studentëve të Informatikës Inxhinierike në impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm të KRU “Gjakova”

Vizitë studimore e studentëve të Informatikës Inxhinierike në impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm të KRU “Gjakova”

24.12.2025, Gjakovë.

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe praktike të Fakultetit të Shkencave Aplikative, studentët e programit Informatikë Inxhinierike të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë realizuan një vizitë studimore në impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm të KRU “Gjakova”, me qëllim të njohjes nga afër me aplikimin praktik të teknologjisë së informacionit dhe sistemeve inxhinierike në sektorin e ujësjellësit.

Kjo vizitë u organizua si rezultat i Marrëveshjes së Bashkëpunimit (MoU) ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” SH.A., e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, zhvillimin e aftësive praktike të studentëve dhe ndërlidhjen e arsimit universitar me industrinë dhe shërbimet publike.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga përfaqësuesit e KRU “Gjakova” dhe u informuan fillimisht mbi rregullat e sigurisë, rolin dhe funksionin e impiantit, kapacitetet teknike dhe rrjedhën e përgjithshme të procesit të trajtimit të ujit të pijshëm. Një vëmendje e veçantë iu kushtua sistemeve teknologjike dhe automatizimit të proceseve, përfshirë fazat e trajtimit të ujit, përdorimin e sensorëve industrialë, PLC-ve, SCADA-s dhe sistemeve të kontrollit dhe monitorimit në kohë reale të parametrave të cilësisë së ujit.

Po ashtu, studentët patën mundësi të njihen me arkitekturën e sistemeve informatike të impiantit, proceset e mbledhjes, ruajtjes dhe analizës së të dhënave, si dhe me shembuj konkretë të integrimit të teknologjisë së informacionit në funksionimin e përditshëm të impiantit. Vizita u shoqërua edhe me një demonstrim praktik në terren dhe u përmbyll me një sesion diskutimi dhe pyetje–përgjigje, ku studentët patën mundësi të lidhin njohuritë teorike me zgjidhjet praktike të aplikuara në industri

Rektori i UFAGJ, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, i cili është njëherit bartë i këtij programi, falënderoi Kryeshefin Z. Hasan Krasniqi, gjithë stafin e KRU Gjakova për organizimin, transportin dhe mirëpritjen e vizitës studimore. Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vlerëson lart bashkëpunimin me KRU “Gjakova” dhe mbetet i përkushtuar në zhvillimin e aktiviteteve të tilla që kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, avancimin e kompetencave praktike të studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës, përmes një ndërlidhjeje të qëndrueshme mes arsimit, teknologjisë dhe sektorit publik.

Article Gallery

tp-bottom