Ass. Dr. sc. Muhamet Kadrija kontribuon në zhvillimin e Kujdesit Paliativ në Kosovë përmes shkëmbimit të përvojave me Shqipërinë
Ass. Dr. sc. Muhamet Kadrija, nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë, mori pjesë në vizitën studimore të zhvilluar më 8–10 tetor 2026 në Korçë, Shqipëri, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në kujdesin paliativ.
Vizita u organizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë vizitës në Qendrën e Kujdesit Paliativ “Mary Potter” në Korçë, pjesëmarrësit u njohën me organizimin e shërbimeve paliative, qasjen multidisiplinare, sistemin e referimit, menaxhimin e dhimbjes dhe simptomave, si dhe mbështetjen për pacientët dhe familjarët.
Diskutimet u përqendruan edhe në mundësitë për përshtatjen e këtyre praktikave me nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës, përmes standardizimit të shërbimeve, harmonizimit të protokolleve, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sigurimit të vazhdimësisë së kujdesit.
Një nga objektivat kryesore të vizitës ishte mbështetja e Grupit Punues në finalizimin e Planit të Veprimit për Kujdesin Paliativ në Kosovë. Përvojat e shkëmbyera synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e shërbimeve më të organizuara, më të qasshme dhe më cilësore.
Pjesëmarrja e Ass. Dr. sc. Muhamet Kadrija lidhet me angazhimin e tij profesional në fushën e kujdesit paliativ dhe rolin e tij akademik në Fakultetin e Mjekësisë të UFAGJ-së.
Doktor M.Kadrija dha një kontribut të jashtëzakonshëm, përmes përvojës së tij dhe punës në komunitet, në hartimin e draftit dhe të protokolleve unifikuese për kujdesin paliativ për pacientët në stadin e fundit të jetës.
Vizita studimore në Shqipëri përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri dhe përmirësimit të kujdesit paliativ në Kosovë.