Mobiliteti në Messina
Prof. Ass. Dafinë Ibrahimi Kaçuri mori pjesë në një mobilitet të organizuar nga projekti COMMO IX, në kuadër të programit Erasmus+. Ky mobilitet pati rëndësi të veçantë, pasi profesoresha ishte e pranishme për të ndarë njohuritë dhe përvojën e saj profesionale me studentët dhe kolegët në fushën e Fizioterapisë dhe Rehabilitimit.
Gjatë gjithë javës, ajo u takua me grupe të ndryshme studentësh, ku mbajti ligjërata për programin e Fizioterapisë dhe zhvilloi pjesë praktike me studentët e viteve të ndryshme të studimit. Ligjeratat u përmbyllën me një takim me studentë dhe specializantë të Fiziatrisë dhe Rehabilitimit, ku u diskutua mbi trajtimet bashkëkohore dhe inovacionet në terapinë fizikale për personat që kanë nevojë për këto shërbime.
Vizita u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, me takime miqësore me kolegë të pensionuar në fushën e fizioterapisë, si dhe me një vizitë kulturore në qytetin e Messinës, duke shkëmbyer përvoja profesionale dhe kulturore.