Fakulteti i Mjekësisë organizoi aktivitet ndërgjegjësues për Diabetin
14 nëntori njihet si Dita Ndërkombëtare e Diabetit.
Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani”, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor, zhvilloi një aktivitet në qendër të qytetit në nder të kësaj dite. Studentët kryen matjen e shenjave vitale dhe të nivelit të glukozës në gjak për qytetarët.
Aktiviteti ishte i ndarë në dy pjesë. Në fillim u mbajt sesioni informues për diabetin mellitus, ku u shpërndanë broshura dhe u dhanë sqarime të thjeshta rreth parandalimit. Më pas u zhvillua sesioni praktik për matjen e shenjave vitale dhe të glukozës në gjak, nën mbikëqyrjen e asistentit të praktikës klinike, z. Muhamet Kadrijaj, të cilin e falënderojmë sinqerisht për mbështetjen.
Ky aktivitet ishte në shërbim të komunitetit, ku studentët u angazhuan për të kontribuar për qytetarët tanë. Një falënderim i veçantë u shkon studentëve të Fakultetit të Mjekësisë për pjesëmarrjen dhe përkushtimin e tyre.
Falënderojmë edhe dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Haxhi Kamberi, për mbështetjen që na mundësoi realizimin e këtij aktiviteti.