U organizua trajnim për studentët me temë “Siguria Kibernetike dhe Privatësia Online”
Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, në bashkëpunim me Shoqatën Intelektuale “Jakova”, organizoi trajnim për studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë me temë “Siguria Kibernetike dhe Privatësia Online”, i cili u mbajt më 30.12.2025 në ambientet e universitetit.
Trajnimi u udhëhoq nga eksperti i fushës së sigurisë kibernetike, MSc. Yll Ferizi, dhe kishte për qëllim ofrimin e njohurive bazike dhe praktike për studentët lidhur me sfidat dhe rreziqet që paraqet përdorimi i teknologjisë dhe internetit në kohën digjitale.
Gjatë këtij trajnimi, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me konceptet themelore të sigurisë kibernetike, format më të shpeshta të kërcënimeve online si phishing, malware, vjedhja e të dhënave personale, si dhe me rëndësinë e ruajtjes së privatësisë në platformat digjitale dhe rrjetet sociale. Po ashtu, u trajtuan praktika dhe këshilla konkrete për mbrojtjen e llogarive personale, përdorimin e fjalëkalimeve të sigurta dhe menaxhimin e të dhënave personale në internet.
Trajnimi u karakterizua nga pjesëmarrje aktive e studentëve, diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash mes ligjëruesit dhe pjesëmarrësve.
Në këtë trajnim u ftuan të gjithë studentët e interesuar dhe të apasionuar pas teknologjisë, sigurisë digjitale dhe përdorimit të sigurt të internetit, të cilët shprehën interes të madh për temat e trajtuara dhe për rëndësinë e tyre në jetën akademike dhe profesionale.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së vetëdijes dhe zhvillimit të kompetencave digjitale të studentëve, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi akademik më të sigurt dhe më të përgjegjshëm në hapësirën online.
Rektori Bunjaku përshëndeti të gjithë studentët e pranishëm dhe falënderoi Shoqatën e Intelektualëve Jakova dhe ekspertin Yll Ferizi për mbështetjen e tij përmes ofrimit të një trajnimi profesional për studentët lidhur me një temë shumë të rëndësishme.
Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, shprehu kënaqësinë e tij që shoqata po kontribuon drejtpërdrejt në vetëdijësimin dhe edukimin e studentëve mbi çështje bashkëkohore me rëndësi të veçantë, duke theksuar se aktivitete të tilla përforcojnë rolin e shoqatës në shërbim të dijes, rinisë dhe zhvillimit shoqëror.
Udhëheqësja e Qendrës Didaktike, Prof. Dr. Sindorela Doli, falënderoi ligjëruesin për ofrimin e këtij trajnimi për studentët tanë dhe për gatishmërinë e tij për bashkëpunim me universitetin tonë. Njëherit, potencoi që QDPM mbetet e përkushtuar që të ofroj aktivitete të cilat përpos përsosmërisë në mësimdhënie po kontribuon edhe në vetëdijësimin e studentëve mbi sfidat digjitale të kohës.