U mbajt ligjëratë për vetëdijesim mbi Kancerin e Gjirit në Fakultetin e Mjekësisë
Më datë 16. 10. 2024,në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë nën organizimin e Parlamentit Studentor në UFAGJ, për nder të muajit rozë për kancerin e gjirit, u mbajt një ligjeratë nga Prof..Asoc.Dr.Antigona Ukëhaxhaj.
Në këtë organizim morën pjesë një grup i grave nga Shoqata "Ia vlen të jetosh", dekani Prof.Dr.Haxhi Kamberi, profesorë të Fakultetit të Mjekësisë, Prorektorja për Çështje Mësimore Prof.Ass.Dafine Kaçuri, prodekanja për Çështje Mësimore dhe Student në Fakultetin e Mjekësisë Prof.Ass.Dr. Hasime Terziqi, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, po ashtu morën pjesë edhe studentë nga programi i studimit Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale.
Takimin e hapi Dekani Prof.Dr.Haxhi Kamberi, i cili theksoi rolin dhe rëndësinë e shënimit të kësaj dite për faktin se kjo sfidë po prek cdo ditë e më shumë femrat në Kosovë, duke përfshirë edhe ato të moshave të reja dhe fatkeqësisht nëse diagnostikohet vonë rezulton me fatalitet të lartë.
Pastaj fjalën e mori kryetarja e shoqatës “ I’a vlen të jetosh” , e cila rrefeu përvojën dhe sfidat që ballafaqohen gratë gjatë sëmundjes dhe nevojat e tyre për përkrahje më të madhe institucionale dhe mbështetje psiko-emocionale nga familja dhe shoqëria.
Një ligjëratë vetëdijësuese mbi kancerin e gjirit me kërkesë të studentëve e mbajti Profesoresha Antigona Ukëhaxhaj, ku theks të vecantë ajo vuri mbi parandalimin dhe vetëkontrollin, vizitat e rregullta tek mjeku dhe këshillat mbi stilin e jetës përfshirë këtu ushqimin dhe aktivitetin fizik të të prekurave nga sëmundja. Nga të dhënat e Klinikës së Onkologjisë ajo raportoi mbi numrin e të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë për vitin 2022.
Pas kësaj te pranishmit patën një sërë pyetjesh për panelistët. Me shoqatën e grave të prekura nga kanceri në Komunën e Gjakovës menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë u zotua se do të ketë edhe bashkëpunime dhe takime edhe në të ardhmen.
Studentët falenderuan menaxhmentin për mbështetjen e tyre në iniciativat të cilat përqojnë mesazhe të forta te popullata, ku në njërën prej ditëve të javës ata bashkë me stafin do të jenë në komunitet duke shpërndarë broshura për grate në Gjakovë.