Qendra Mbështetëse për Zhvillim Akademik dhe Trajnime organizoi trajnimin e parë për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor

Qendra Mbështetëse për Zhvillim Akademik dhe Trajnime organizoi trajnimin e parë për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor

Më 14 korrik 2026, në Sallën e Amfiteatrit të Fakultetit të Mjekësisë, u mbajt trajnimi njëditor me temën “Metodat bashkëkohore në mësimdhënie dhe punë kërkimore”, i organizuar nga Qendra Mbështetëse për Zhvillim Akademik dhe Trajnime.

Ky aktivitet shënoi trajnimin e parë të organizuar nga Qendra dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së mësimdhënies, zhvillimit profesional të stafit akademik dhe forcimit të kapaciteteve kërkimore në Universitet.

Trajnimi u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Haxhi Kamberi, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla për avancimin e standardeve akademike dhe për përditësimin e vazhdueshëm të njohurive dhe metodave të punës së stafit universitar.

Në vijim, Prof. Assoc. Dr. Kimete Canaj, prezantoi Qendrën Mbështetëse për Zhvillim Akademik dhe Trajnime, misionin, vizionin dhe objektivat e saj. Ajo theksoi se Qendra synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për zhvillimin akademik dhe profesional, shkëmbimin e përvojave, promovimin e praktikave të mira dhe organizimin e trajnimeve në përputhje me nevojat e stafit akademik dhe kërkimor.

Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Assoc. Dr. Majlinda Keta, profesorshë në Universitetin e Tiranës, e cila me temën “Didaktika e formimit dhe kërkimit akademik në shkencat mjekësore” trajtoi qasjet dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies, rëndësinë e vendosjes së studentit në qendër të procesit mësimor, përdorimin e metodave interaktive dhe zhvillimin e mendimit kritik, “Nga Betimi i Hipokratit te Intelegjenca Artificiale: Didaktika si etikë, shkencë dhe përgjegj[si akademike”.

Një pjesë e veçantë e trajnimit iu kushtua punës kërkimore dhe shkencore, përfshirë formulimin e pyetjeve kërkimore, përdorimin e burimeve akademike, organizimin e procesit të hulumtimit dhe lidhjen ndërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan diskutime profesionale dhe u shkëmbyen përvoja ndërmjet pjesëmarrësve, duke krijuar mundësi për reflektim mbi sfidat aktuale të arsimit të lartë dhe mënyrat e përmirësimit të procesit të mësimdhënies.

Qëllimet kryesore të trajnimit ishin përditësimi i njohurive mbi praktikat bashkëkohore të mësimdhënies, zhvillimi i shkathtësive për punë kërkimore dhe shkencore, rritja e kapaciteteve profesionale dhe nxitja e bashkëpunimit akademik.

Organizimi i këtij trajnimi konfirmon përkushtimin e Qendrës Mbështetëse për Zhvillim Akademik dhe Trajnime për krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional dhe për ndërtimin e një kulture institucionale të bazuar në cilësi, inovacion dhe bashkëpunim.

Qendra do të vazhdojë aktivitetet e saj përmes trajnimeve, seminareve, punëtorive dhe programeve të tjera, të orientuara drejt nevojave të stafit akademik dhe avancimit të përgjithshëm të cilësisë në Universitet.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom