UFAGJ vazhdon të shkruajë historinë: shënon arritje rekord në rangimin e universiteteve sipas webometrics.org

UFAGJ vazhdon të shkruajë historinë: shënon arritje rekord në rangimin e universiteteve sipas webometrics.org

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) vazhdon të shënojë rezultate të rëndësishme në pozicionimin ndërkombëtar. Sipas përditësimit të korrikut 2026 të publikuar në Webometrics.org, UFAGJ është renditur në pozitën 10,812 në nivel botëror, duke shënuar rezultatin më të lartë në historinë e Universitetit në këtë rangim.

Progresi është veçanërisht i dukshëm nga viti 2023 e tutje. Në shtator 2023, UFAGJ renditej në pozitën 17,700, ndërsa në korrik 2026 ka arritur në 10,812, duke avancuar për 6,888 pozita, apo rreth 38.9%. Vetëm nga janari deri në korrik 2026, Universiteti është ngritur nga pozita 13,985 në 10,812, për një avancim prej 3,173 pozitash.

Ky progres pasqyron vizionin dhe strategjinë e qartë menaxheriale, të mbështetur në objektiva konkrete, punë të vazhdueshme dhe orientim drejt cilësisë, zhvillimit dhe fuqizimit institucional të UFAGJ-së. Në fokus kanë qenë digjitalizimi i proceseve akademike dhe administrative, ngritja e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, përmirësimi i infrastrukturës fizike dhe teknologjike, si dhe modernizimi i programeve të studimit në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e komunitetit.

Një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të Universitetit mbetet edhe ndërkombëtarizimi, përmes fuqizimit të bashkëpunimit me universitete dhe institucione partnere, rritjes së mobiliteteve akademike dhe studentore, pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare dhe zgjerimit të pranisë së UFAGJ-së në arenën akademike ndërkombëtare. Krahas kësaj, Universiteti ka orientuar vëmendje të veçantë në fuqizimin e mbështetjes për publikimet shkencore, rritjen e dukshmërisë së rezultateve kërkimore dhe krijimin e kushteve më të mira për avancimin e veprimtarisë shkencore të stafit akademik.

Nga tetori 2023, me fillimin e mandatit të menaxhmentit aktual, UFAGJ ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit institucional. Rektori, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, thekson se menaxhmenti do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim maksimal, përgjegjësi dhe vizion të qartë për fuqizimin e mëtejmë të Universitetit.

Sipas Rektorit Bunjaku, gara ndërmjet universiteteve sot është gjithnjë e më e vështirë, dinamike dhe konkurruese, ndaj kërkon punë të vazhdueshme, përshtatje me zhvillimet bashkëkohore dhe ngritje të standardeve akademike e institucionale. Rezultatet e deritanishme përbëjnë një shtysë për të vazhduar edhe më fuqishëm në rritjen e cilësisë, ndërkombëtarizimit, kërkimit shkencor, mobilitetit akademik dhe studentor, si dhe ndikimit të Universitetit në komunitet dhe në hapësirën akademike ndërkombëtare.

UFAGJ shpreh mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ, studentët, partnerët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e Universitetit.

tp-bottom