Në Fakultetin e Mjekësisë u raportua rreth ecurisë së projektit ‘Gjuha e urrejtjes – demokracia dhe të rinjtë’

Në Fakultetin e Mjekësisë u raportua rreth ecurisë së projektit ‘Gjuha e urrejtjes – demokracia dhe të rinjtë’

Prof. Assoc. Dr. Kimete Canaj, koordinatore e projektit “Gjuha e urrejtjes – demokracia dhe të rinjtë”, së bashku me profesorët, Prof. Assoc. Dr. Artan Nimani,  Prof. Assoc. Dr. Renata Tokrri, Prof. Dr. Sokol Pacukaj dhe Prof. Eva Teqja nga Universiteti “Alexander Moisiu” Durrës dhe Universiteti i Tiranës zhvilluan në Fakultetin e Mjekësisë një takim pune me dekanin, ku u prezantua raporti mbi ecurinë e projektit “Gjuha e urrejtjes – demokracia dhe të rinjtë”. Projekti ka për qëllim ndërgjegjësimin e studentëve mbi ndikimin e gjuhës së urrejtjes dhe bullizimit në jetën akademike dhe shoqërore, si dhe rolin e tyre në mbrojtjen e vlerave demokratike.

Gjatë takimit u diskutua mbi pyetësorin e përgatitur për studentët, i cili do të shërbejë si instrument kërkimor për të mbledhur të dhëna mbi përvojat dhe perceptimet e tyre. U vendos që pyetësori të shpërndahet në mënyrë të gjerë, duke përfshirë studentë nga disa programe studimi, me synim krijimin e një baze të dhënash të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Në vijim, u organizua një diskutim i hapur me studentët mbi fenomenin e bullizimit dhe gjuhës së urrejtjes, ku ata ndanë mendimet e tyre mbi mënyrat e parandalimit dhe rëndësinë e respektit e tolerancës në mjediset akademike.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe planifikimit të publikimit të rezultateve të pyetësorit në revista shkencore ndërkombëtare, duke synuar që gjetjet të kontribuojnë në literaturën akademike mbi mënyrën e komunikimit, demokracinë, edukimin dhe të rinjtë.

Ky aktivitet përforcon angazhimin e Fakultetit të Mjekësisë për të nxitur kërkimin shkencor dhe përfshirjen aktive të studentëve në çështje me rëndësi shoqërore dhe akademike

tp-bottom