Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Edukimit organizojnë me sukses konferencën shkencore ndërkombëtare ‘Puna sociale, edukimi dhe inovacioni në shkencat sociale
Gjakovë, 08 Maj 2024
Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Edukimit kanë organizuar me sukses konferencën shkencore ndërkombëtare ‘Puna sociale, edukimi dhe inovacioni në shkencat sociale’. Konferenca ka sjellë një spektër të gjerë të profesionistëve, studiuesve, referuesve, profesorëve dhe studentëve të shkencës dhe hulumtimit nga UFAGJ, universitetet kombëtare në Kosovë, universitetet nga Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe nga SHBA-të.
Në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare si folës kryesor morën pjesë: Ardian Gola – Kryetar i Komisionit, për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Arbërie Nagavci – Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Rektori i UFAGJ-së prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, Prof. William R Henninger IV, PhD nga Universiteti Veriore i IOWA-së Cedar Falls – SHBA dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi.
Më shumë se 70 pjesëmarrës me punët e tyre shkencore, hulumtuese dhe inovative ishin pjesë e Konferencës, të cilët shpalosen studimet, hulumtimet/kërkimet shkencore, punën e tyre, njohuritë dhe kumtesat, duke sjellë kështu kontribute të vlefshme për dijen shkencore. Gjithashtu, në konferencë pjesëmarrës ishin edhe personalitete nga jeta politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe mbarëkombëtare.
Konferenca është organizuar në bashkëpunim me universitetet: Universiteti i Elbasanit 'Aleksandër Xhuvani', Shqipëri, Universiteti i Shkodrës 'Luigj Gurakuqi', Shqipëri, Universiteti i IOWA-së Veriore - Cedar Falls, IOWA, SHBA, Universiteti i Evropës Juglindore, Maqedoni Veriore, Universiteti i Prishtinës 'Hasan Prishtina', Universiteti i Mitrovicës 'Isa Boletini', Universiteti Publik 'Kadri Zeka' në Gjilan, Universiteti i Prizrenit 'Ukshin Hoti', Instituti i Shqiptar i Sociologjisë, Shqipëri dhe Instituti i Sociologjisë, Kërkimeve Demografike dhe Inovacionit.
Konferenca ka përfshirë 6 sesione: ST1: Fehmi Agani – Martir i Kombit dhe i Shkencës, ST2: Praktikat dhe modelet e punës sociale, ST3: Edukimi dhe hulumtimi në modelet didaktike, ST4: Të drejtat dhe liritë e njeriut, ST5: Puna sociale dhe sjelljet devijante në shoqëri dhe ST6: Qëndrueshmëria, digjitalizimi dhe inovacioni në nivel të ndryshimeve.
Rëndësi të veçantë ka pasur zhvillimi i sesionit të parë ‘Fehmi Agani – Martir i Kombit dhe i Shkencës’ i organizuar në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë për nder të 25 vjetorit të vrasjes së profesorit Fehmi Agani. Në kuadër të këtij sesioni u nda edhe "Çmimi i Ekselencës 'Fehmi AGANI' (shkenca sociale e humane) [Fehmi Agani Award for Excellence in Research and Practice], ku ky vendim merret nga Komisioni i Vlerësimit të Kontributeve Akademike, i përbërë nga 21 studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Ky çmim ju nda pedagogut dhe studiuesit prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberit, njëherit dekan në Fakultetin e Shkencave Sociale pran Universitetit ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë.