Vendoset gurthemeli i ndërtimit të Kampusit të ri të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë
Sot, më 09. 12. 2024, në një ceremoni solemne, u vendos gurthemeli i Kampusit Universitar të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, duke filluar me objektin e Fakultetit të Mjekësisë. Ky akt solemn paraqet një projekt që përfaqëson një hap të madh përpara në zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë në vendin tonë e rajon. Në shënimin e kësaj dite morën pjesë personalitete të shquara nga arsimi, akademia e pushtetet legjislative e ekzekutive në vendin tonë.
Ceremonia u hap me një fjalim mirëseardhjeje, ku u theksua rëndësia e këtij investimi për avancimin e infrastrukturës akademike dhe për krijimin e mundësive të reja për studentët.
Ndërkaq Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Znj. Arbërie Nagavci theksoi se ky Kampus është një shembull i qartë i përkushtimit të institucioneve për të forcuar sistemin arsimor në vend. Për më tepër Ministrja shtoi se MASHTI ka qenë dhe do të jetë një mbështetës i fuqishëm i projekteve që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në cilësinë e arsimit dhe ofrimin e profesionistëve të së ardhmes të cilët do ti shërbejnë tregut të punës në vend e gjetiu.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, në fjalën e tij, potencoi rëndësinë historike të kësaj dite. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qeverisë dhe të gjitha palëve të përfshira në realizimin e këtij projekti madhor, duke shtuar se vendosja e këtij gurthemeli është shprehje e vullnetit për të ofruar standarde të larta akademike dhe një mjedis ku mund të krijohen ekspertët dhe liderët e së ardhmes. Rektori Bunjaku potencoi se do të vazhdoj të angazhohet maksimalisht në zhvillimin e mëtejmë të institucionit dhe përkushtimi i tij do të fokusohet në implementimin e planit strategjik të Universitetit dhe në përmbushjen e misionit dhe vizionit të Universitetit.
Ndërtimit i Kampusit pritet të ndikojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë si një qendër e ekselencës akademike në rajonin e Dukagjinit me programe të lidhura drejtëpërsëdrejti me nevojat tregut të punës.