Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë përmbyll me sukses Panairin e Punës dhe Karrierës 2025

Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë përmbyll me sukses Panairin e Punës dhe Karrierës 2025

Gjakovë, 28.04.2025

Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë ishte nikoqir i Panairit të Punës dhe Karrierës 2025, një ngjarje e rëndësishme e organizuar nga Zyra për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zyra e Karrierës, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman. Panairi, i cili u mbajt në ambientet e universitetit, mblodhi dhjetëra biznese të profileve të ndryshme nga Komuna e Gjakovës.

Kjo platformë unike u ofroi studentëve mundësinë e artë për të komunikuar drejtpërdrejt me përfaqësues të bizneseve, duke u njohur nga afër me ofertat e punës dhe kërkesat e tyre për punësim. Interesi i studentëve ishte i madh, duke dëshmuar nevojën për takime të tilla që lidhin botën akademike me atë të punës.

Rektori i Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bujnaku, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis universitetit dhe ndërmarrjeve. Ai vuri në dukje potencialin e jashtëzakonshëm që studentët e universitetit kanë për t'u integruar me sukses në tregun e punës. Rektori Bujnaku shtoi se një platformë e tillë është thelbësore për të forcuar edhe më tej komponentën e tretë të misionit të universitetit, atë të kontributit ndaj shoqërisë.

Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Projekte, Prof. Ass.  Dr. Nazli Tyfekci, e vuri theksin në rolin jetik të bashkëpunimit institucional. Ajo shpjegoi se ky organizim synon të themelojë ura të qëndrueshme midis edukimit dhe punësimit, duke shërbyer si një lidhje e rëndësishme midis studentëve dhe tregut të punës. 

Në ceremoninë e hapjes së panairit, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Bordit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Drejtor Ekzekutiv në KRM Cabrati, z. Behar Ferizi. Ai theksoi se bashkëpunimi i ndërmarrjeve me universitetin po sjell zhvillime të dukshme në Gjakovë. Z. Ferizi gjithashtu potencoi se ky bashkëpunim po thellohet vazhdimisht, duke e konsideruar universitetin dhe ndërmarrjet si një trup të vetëm me synim kryesor ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe shërbimin ndaj komunitetit.

Panairi i Punës dhe Karrierës 2025 u vlerësua si një sukses i madh, duke shërbyer si një platformë e vlefshme për studentët dhe bizneset e Gjakovës, dhe duke forcuar lidhjet midis botës akademike dhe asaj të punës.

tp-bottom