Takim pune në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë për avancimin e Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie

Takim pune në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë për avancimin e Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie

Sot, më datë 14 nëntor 2025, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt një takim pune mes Rektorit të Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, Udhëheqëses së Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie Prof. Dr. Sindorela Doli, u.d. Sekretares së Përgjithshme Nita Pruthi, si dhe u.d. Udhëheqëses së Zyrës për Sigurimin e Cilësisë Qëndresa Bardhoshi.

Takimi u organizua si bazë për adresim të rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm dhe rezultateve të pyetësorëve të shpërndarë nga Zyra për Sigurimin e Cilësisë, të cilat identifikuan nevojat për trajnime shtesë për stafin akademik me qëllim të rritjes së performancës në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Gjatë takimit u vlerësua si prioritet përditësimi i rregullores së Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, harmonizimi i saj me praktikat më bashkëkohore dhe funksionalizimi i plotë i mekanizmave drejtues të Qendrës. Po ashtu, u theksua rëndësia e mbajtjes së takimeve të rregullta me Bordin e Qendrës, për të siguruar koordinim të vazhdueshëm dhe miratim të aktiviteteve të planifikuara.

Një pikë e veçantë diskutimi ishte hapja e thirrjes për trajnerë, duke marrë parasysh gatishmërinë e stafit të UFAGJ për të kontribuar në këtë iniciativë, si dhe mundësinë e bashkëpunimit me partnerë të jashtëm për ofrimin e trajnimeve cilësore. U vlerësua se angazhimi i trajnerëve të brendshëm dhe të jashtëm do të krijojë një program të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të zhvillimit profesional.

Udhëheqësja e Qendrës u zotua se puna do të vazhdojë me intensitet të shtuar në drejtim të vazhdimit të aktiviteteve të Qendrës dhe krijimit të platformave të reja të mbështetjes për stafin akademik, duke synuar rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Në përfundim u vendos që të gjitha aktivitetet, nismat dhe rezultatet e Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie të publikohen rregullisht në faqen zyrtare të Qendrës, me qëllim të transparencës, informimit të stafit dhe promovimit të punës së vazhdueshme të Qendrës.

Fotot e lajmit

tp-bottom