Shënohet 5 vjetori i themelimit të Fakultetit të Shkencave Sociale
Fakulteti i Shkencave Sociale pran Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë shënoi 5 vjetorin e themelimit me një ceremoni të organizuar në praninë e studentëve, stafit akademik, organizatave të shoqërisë civile dhe drejtuesve të institucionit.
Rektori i universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, mbajti një fjalim përshëndetës për të uruar dhe për të vlerësuar arritjet e fakultetit që nga themelimi i tij. Ai u shpreh mirënjohës për përkushtimin e stafit dhe sukseset e studentëve, të cilët përbëjnë bazën e forcës së këtij fakulteti, si dhe falënderoi të gjitha ata që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e këtij fakulteti.
Kurse, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, vlerësoi zhvillimet e këtij fakulteti gjatë pesë viteve të fundit, dhe theksoi se falë punës dhe angazhimit të stafit akademik, studentëve, administratës, si dhe partnerëve është arritur që ky fakultet të ketë një qëndrueshmëri dhe vizion të qartë.
Gjatë këtij organizimi u prezantua edhe progresi i zhvillimit të fakultetit përgjatë 5 viteve nga studentja Gentiana Dushi.
E tërë ceremonia u moderua nga studentja e Fakultetit të Shkencave Sociale Elda Gacaferri, përderisa gjatë ceremonisë, për angazhimin dhe kontributin e dhënë për avancimin e këtij fakulteti u dhanë mirënjohje për profesorë, anëtarë të bordit industrial, përfaqësues nga administrata, ish – studentë dhe studentë aktual nga ky fakultet: Prof. Ass. Dr. Shefqet Mulliqi, Prof. Ass. Dr. Gentiana Muhaxhiri, Mentor Morina, Kujtim Dula, Berat Thaqi, Jeton Plava, Fitore Islami, Arlinda Muslija, Gentiana Dushi dhe Elda Gacaferri.
Në fund, në emër të Parlamenti Studentor, studenti Besmir Pepshi ndau mirënjohje për Rektorin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi për punën, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për studentët dhe zhvillimin e këtij fakulteti.