UFAGJ merr pjesë në Seminarin për Dimensionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë
Udhëheqësja e Divizionit për Sigurimin e Cilësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Qëndresa Bardhoshi, mori pjesë në seminarin për Dimensionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë (Seminar on the European Dimension of Quality Assurance), të organizuar nga ENQA (European Association for Quality Assurance in Higher Education) në Bruksel me datë 10 Shtator 2026.
Seminari u fokusua në zhvillimet aktuale të sigurimit të cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe në çështjet me rëndësi për institucionet e arsimit të lartë dhe agjencitë e sigurimit të cilësisë.
Gjatë seminarit u trajtuan tema të rëndësishme, ndër të tjera, korniza evropiane e sigurimit të cilësisë, parimet dhe instrumentet e saj, përfshirja e studentëve në proceset e sigurimit të cilësisë, roli i EQAR-it, politikat e Bashkimit Evropian për sigurimin e cilësisë, si dhe rishikimi i Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane për Sigurimin e Cilësisë (ESG). Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu sigurimit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, përdorimit të të dhënave në proceset e sigurimit të cilësisë, si dhe sigurimit të cilësisë së programeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Pjesëmarrja në këtë seminar përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave evropiane në fushën e sigurimit të cilësisë, si dhe për ndjekjen nga afër të zhvillimeve të reja në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të kulturës së cilësisë, në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane të sigurimit të cilësisë.