Programi Infermieri

Infermierët e diplomuar në profesionin shëndetësor të infermierit, janë punonjës të cilëve u përkasin detyrat (kompetencat) dhe përgjegjësitë në ofrimin e ndihmës së përgjithshme infermierore në përgjigje të problemeve shëndetësore të individit dhe të komunitetit, njëherit janë të aftë të ofrojnë kujdes infermieror parandalues, kurues, qetësues dhe rehabilitues.
Përsa i përket mundësisë së punësimit, mendojmë se këta studentë mund të punojnë:
  • Në kujdesin Parësor Shëndetësor: QKMF, QMF, AMF-të në zona rurale, mbasi në këto zona prej kohësh ndjehet një mungesë infermierësh.
  • Në Kujdesin Dytësor dhe Tretësor (pasi në vendin tonë ekziston): Spitali Rajonal, Qendra e Shëndetit Mendor dhe Instituti Kombëtar i Mjekësisë se Punës [IKMP],të tilla që kanë nevojë për infermieri si në rajonin tone, ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).
  • Me plan programin që kanë dhe me përgatitjen që do të bëjnë këta studentë mund të punësohen edhe në sistemin privat dhe jashtë vendit.
Programi i infermierisë është i ndarë në 6 semestra dhe kohëzgjatja e studimeve është 3 vite akademike, ekuivalente me 180 ECTS. Çdo semestër ka 30 ECTS kreditë.
Studimet përfshijnë bazën e:
  • shkencave themelore biomjekësore;
  • shkencat humane dhe sociale;
  • shkencat profesionale te infermierisë;
Përmbajtja e programit është në përputhje të plotë me kërkesat Evropiane për një formim të duhur dhe të përshtatshëm në infermieri. Në kurrikulen tonë, kujdesi infermieror i bashkëngjitet çdo lënde specifike duke i bërë ato të integruara me njëra tjetrën.  Në këtë program studentët krijojnë një vizion të qartë për ndërtimin normal të trupit të njeriut si nga ana fiziologjike, anatomike e biokimike. Po ashtu marrin njohuri për anatominë patologjike, mikrobiologjinë, sëmundjet infektive, etj.
Peshën kryesore në kreditë e zënë lëndët e formimit karakterizues të tilla si sëmundjet e brendshme, sëmundjet kirurgjikale, sëmundjet pediatrike, sëmundjet në obstetrikë-gjinekologji, urgjencat mjekësore, etj. 
Në programin e çdo lënde profesionale përfshihen edhe kujdesjet infermierore përkatëse me qëllim që studentët veç njohjes mirë së sëmundjeve të njohin edhe mënyrat specifike të shërbimit ndaj  të sëmurëve. Një vend i posaçëm i lihet lëndëve me zgjedhje nga studentët dhe atyre te karakterit formues të tilla si: gjuha angleze, gjuha gjermane, statistika me informatikë, sistemi i përpunimit të të dhënave, lëmenj të caktuara të gjendjeve urgjente në mjekësi etj.
Përveç ligjëratave teorike dhe seminareve, studentët janë të obliguar të ndjekin edhe mësimin praktik të organizuar në laboratorët e pajisura për fitimin e shkathtësive praktike profesionale.
Duke filluar nga semestri i dyte i vitit të parë e në vazhdim ne planin mësimor është caktuar praktike profesionale me qëllim që t’i aftësoje studentët për t’i shërbyer pacienteve në të gjitha llojet e sëmundjeve.
Hartimi i këtyre objektivave dhe kurrikulave është bërë duke u nisur nga eksperienca e shkollave tona publike të infermierisë por edhe nga fakultete të tjera të ngjashme evropiane dhe sidomos atyre Sllovene. Eksperienca e këtyre të fundit është marrë në konsideratë edhe për faktin se një pjesë e mirë e këtyre studentëve pas mbarimit të studimeve aplikojnë për tu punësuar në këtë vend dhe përvoja e deritanishme ka treguar se ata janë të suksesshëm.

tp-bottom