Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë përfiton grant kërkimor të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian - Projekti NanoKos

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë përfiton grant kërkimor të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian - Projekti NanoKos

28 Maj 2025, Prishtinë.

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në ambientet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me konsorciumin e projektit NanoKos, një nismë kërkimore e financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me disa prej universiteteve më prestigjioze evropiane, përfshirë King’s College London, Universitetin e Milanos, Universitetin e Parmës dhe Universitetin e Prishtinës, duke sjellë një standard të ri të ekselencës shkencore dhe ndërkombëtarizimit akademik.

Në kuadër të këtij partneriteti, rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, z. Drilon Bunjaku, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit që parasheh zhvillimin e projekteve të avancuara në fushat e nanoshkencës dhe mjedisit. Ndërkohë, asistenti Vllaznim Mula është emëruar Udhëheqës Kryesor i Projektit (Principal Investigator) për një iniciativë të re kërkimore që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Projekti, me titull:

“Assessment of Volatile Organic Compounds in Indoor and Outdoor Air of Prishtina, Kosovo: A Comparative Study with Carbon Nanoadsorbents and Health Risk Evaluation”,

sjell një qasje novatore që ndërthur nanoteknologjinë, nanotoksikologjinë mjedisore, nanomjekësinë dhe modelimin shkencor të të dhënave. Kjo nismë pozicionon Universitetin “Fehmi Agani” në vijën e parë të kërkimeve bashkëkohore ndërdisiplinare.

Qëllimi kryesor i projektit është të analizojë përbërësit e rrezikshëm organikë të ajrit (VOCs) në hapësira të brendshme dhe të jashtme në qytetin e Prishtinës, duke përdorur nanoadsorbentë me bazë karboni dhe duke vlerësuar rreziqet e mundshme për shëndetin publik. Kjo qasje e integruar tregon fuqinë e sinergjisë mes kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik për të adresuar sfida mjedisore dhe shëndetësore globale.

Ky sukses përfaqëson një dëshmi të qartë të kapaciteteve në rritje të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë në fushën e kërkimit shkencor, si dhe të përkushtimit të tij për të qenë një lider i zhvillimit akademik në shekullin XXI. Universiteti po konsolidohet si një aktor i rëndësishëm në hartën akademike evropiane dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në avancimin e njohurive, nxitjen e inovacionit dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Fotot e lajmit

tp-bottom