Takim i përbashkët i Rektorit Bunjaku me asistentët e fakulteteve të Universitetit “Fehmi Agani” në  Gjakovë

Takim i përbashkët i Rektorit Bunjaku me asistentët e fakulteteve të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

Më datë 07.10.2025, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, priti në një takim të përbashkët në Rektorat të gjithë asistentët e rregullt të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Edukimit, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale.

Në takim morën pjesë gjithashtu edhe Udhëheqësi i Zyrës për Çështje Akademike, Abedin Sadrija si dhe u.d. Udhëheqësja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, Qëndresa Bardhoshi.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi më i afërt mbi procesin e zhvillimit professional të asistentëve, si dhe diskutimi rreth progresit të tyre në studimet doktorale.

Rektori Bunjaku i informoi asistentët që UFAGj është duke hartuar strategjinë e Universitetit për vitin 2026-2030, ku potencoi se asistentët janë aset i Universitetit sepse janë e ardhmja e stafit akademik. Njëherit, Rektori kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të prezantojnë progresin personal në studime postdiplomike si dhe të ndajnë ide dhe sugjerime se si Universiteti mund t’i mbështesë më tej, në mënyrë që të ju lehtësojë rrugëtimin e tyre akademik. Orientimi i zhvillimit të programeve të reja të Universitetit varet nga koha e përfundimit të studimeve të Doktoratës.

Takimi u mirëprit nga asistentët, të cilët e vlerësuan si një iniciativë shumë pozitive për ofrimin e mbështetjes institucionale dhe për adresimin nga afër të sfidave që ata përballen gjatë zhvillimit profesional. Asistentët potencuan idetë dhe ndanë përvojën e tyre gjatë rrugëtimit të studimeve postdiplomike në të cilin ndodhen.

Rektori Bunjaku, theksoi gatishmërinë e tij për të qenë gjithmonë në dispozicion për takime të tilla sa herë që stafi akademik ndjen nevojën për diskutim apo koordinim.

tp-bottom