UFAGJ dhe IBCM nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

UFAGJ dhe IBCM nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

Gjakovë, 24 Dhjetor 2025

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe Public International Business College Mitrovica (IBCM) kanë zyrtarizuar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për bashkëpunim akademik dhe institucional. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Rektorja e IBCM-së, Prof. Dr. Mihone Kerolli Mustafa.

Ky Memorandum ka për qëllim promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit të lartë, kërkimit akademik, aktiviteteve studentore dhe programeve në shërbim të komunitetit në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët janë pajtuar të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, duke përfshirë shkëmbimin akademik dhe ligjëratat e profesorëve vizitues, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e informacioneve shkencore dhe teknike, si dhe organizimin e aktiviteteve profesionale si trajnime, punëtori, seminare dhe konferenca. Po ashtu, marrëveshja parasheh zhvillimin e programeve të reja dhe realizimin e hulumtimeve të përbashkëta nga studentët, si dhe shkëmbimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive.

Përmes këtij Memorandumi, UFAGJ dhe IBCM synojnë të krijojnë kushte për bashkëpunim të qëndrueshëm akademik dhe institucional, me fokus në rritjen e cilësisë së arsimit, avancimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.

Memorandumi do të mbetet në fuqi për një periudhë pacaktuar dhe pritet të shërbejë si një platformë konkrete për bashkëpunime të frytshme në të ardhmen.

Fotot e lajmit

tp-bottom