Nënshkruhet MoU për fuqizimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UFAGJ-së dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”.

Nënshkruhet MoU për fuqizimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UFAGJ-së dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”.

Gjakovë, 30 dhjetor 2025

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë kanë zyrtarizuar sot nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit (MoU), me qëllim zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional në fushën akademike, shkencore dhe kulturore.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, duke u mbështetur në marrëveshjen ekzistuese të vitit 2022 dhe duke e avancuar atë përmes formave të reja dhe më të strukturuara të bashkëpunimit. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, Drejtoreshë e Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, si dhe Znj. Nita Pruthi, ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, hapen rrugë të reja për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke krijuar mundësi konkrete për shkëmbimin e stafit akademik dhe kërkimor, realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore, organizimin e ligjëratave, seminareve dhe konferencave, qarkullimin e botimeve dhe materialeve akademike, zhvillimin e vizitave studimore, si dhe avancimin profesional të stafit akademik, administrativ dhe anëtarëve të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”.

Me këtë rast, Rektori Bunjaku theksoi se Shoqata e Intelektualëve “Jakova” përbën një aset të rëndësishëm jo vetëm për shoqërinë në Komunën e Gjakovës, por edhe për mbarë Kosovën. Ai vlerësoi lart faktin se, pavarësisht mjeteve financiare modeste, shoqata ka arritur të realizojë një numër të madh aktivitetesh me ndikim shoqëror, duke dëshmuar se vullneti, përkushtimi dhe angazhimi profesional janë elemente kyçe në promovimin e vlerave intelektuale. Rektori theksoi gjithashtu rëndësinë e promovimit të këtyre aktiviteteve përmes rrjeteve më të gjera të institucioneve akademike dhe forumeve intelektuale, në funksion të avancimit të vlerave intelektuale të shoqërisë kosovare.

Në këtë kontekst, Rektori Bunjaku e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të Universitetit “Fehmi Agani” në jetën akademike, kulturore dhe intelektuale të qytetit dhe më gjerë, duke theksuar se bashkëpunimi me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova” krijon ura të qëndrueshme mes dijes akademike, angazhimit qytetar dhe kontributit shoqëror, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.

Nga ana e tij, Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, shprehu mirënjohjen për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e treguar nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e veprimtarisë intelektuale dhe shkencore të shoqatës. Ai theksoi se partneriteti me UFAGJ-në krijon hapësira të reja për përfshirjen aktive të intelektualëve në projekte akademike, kërkimore dhe kulturore, si dhe për ndërlidhjen më të strukturuar të dijes akademike me nevojat reale të shoqërisë.

Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në forcimin e ndërlidhjes ndër breza dhe avancimin e jetës intelektuale në Gjakovë dhe më gjerë.

Fotot e lajmit

tp-bottom