Trajnim mbi Procedurat dhe Praktikat e Menaxhimit të Projekteve Zhvillimore në Arsimin e Lartë
Përfaqësues nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë morën pjesë në një aktivitet të rëndësishëm në funksion të shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Zyra për Çështje Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, në bashkëpunim me Zyrën për Projekte në kuadër të Kolegjit AAB, organizuan një trajnim të fokusuar në procedurat dhe praktikat institucionale për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve.
Trajnimi shërbeu si një platformë për ndarjen e përvojave dhe qasjeve të suksesshme institucionale, të cilat kontribuojnë në implementimin efektiv të projekteve në arsimin e lartë.
Nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Financave, përkatësisht udhëheqësja e zyrës znj. Rina Rudi Xhiha, si dhe nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare znj. Freskina Mula dhe z. Bujar Nura.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues nga Universiteti i Gjilanit, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, Universiteti i Ferizajt dhe Albanian University, të cilët patën mundësinë të shkëmbejnë ide dhe praktika të mira në këtë fushë.
Ky bashkëpunim i ndërsjellë synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e standardeve në menaxhimin e projekteve, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve të arsimit të lartë.